“Partia e parë fituese, LVV-ja me 40.84 % të votave, ashtu siç priste, edhe me pakicat jo serbe, për momentin, nuk mund ta formojë Qeverinë, kurse opozita respektivisht PLAN-i me votat e Listës serbe dhe pakica tjera, i kanë këto vota”
Me 9 shkurt, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ndërsa KQZ po përpunon ende rezultatet e këtyre zgjedhjeve.
Me mbi 99 për qind të votave të numëruara deri tani, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti prin me rreth 40 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me rreth 22%, Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 17% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me rreth 7%.
E në lidhje me zgjedhjet parlamentare dhe rezultatet e partive politike, në një prononcim për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.
Së pari, ai vlerësoi lartë gjithë procesin zgjedhor, ku tha se qytetarët e Kosovës treguan një edukatë dhe përkushtim ndaj vlerave demokratike.
“Edhe përkundër një fushate agresive, me shpifje dhe ghuhë të urrejtjes, linçime personale dhe propagandë denigruese, sovrani ishte në krye të detyrës duke iu dhënë shembull politikanëve se si duhej të silleshin edhe ata gjatë këtij proçesi zgjedhor. Qytetarët e Kosovës, gjatë proçesit të votimit, demonstruan një edukatë dhe pjekuri politike ekzemplare, vetëdije dhe përgjegjësi të lartë, përkushtim ndaj vlerave demokratike për një proces të qetë dhe paqësor duke i dhënë shembull edhe vendeve të rajonit”.