Një incident me armë zjarri ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën “1 Tetori” në Prishtinë, ku pas raportimeve për të shtëna, policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka arrestuar një person të armatosur, ndërsa një tjetër ndodhet në arrati.
Sipas të dhënave të Gazetës Sinjali, ngjarja ka ndodhur sot, rreth orës 08:30, kur qytetarët kanë raportuar për të shtëna me armë në këtë zonë.
Në vendin e ngjarjes, njësia policore ka hasur N.A., rreth 53-vjeçar, i cili ka deklaruar se në drejtim të tij kishte shtënë me armë një person tjetër – Emin Sopi, rreth 31-vjeçar, i cili më pas ishte larguar me shpejtësi nga vendi. Fatmirësisht, nuk është raportuar për persona të lënduar.
Hetuesit dhe njësia e krim-teknikës kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, por nuk janë gjetur gëzhoja, ndërsa nga verifikimi i pamjeve të kamerave të sigurisë është vërejtur se edhe Avdiu mbante armë në dorë në momentin e incidentit.
Gjatë kontrollit, policia i ka sekuestruar armën e tipit “Zoraki 7.65 mm”, katër fishekë dhe një karikator.
Ndërkohë, Emin Sopi mbetet në arrati, dhe policia është në kërkim të tij.
Pas intervistimit të N.A., në prani të avokatit mbrojtës, është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka marrë vendim për procedurat e mëtejme.
Rasti po hetohet si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, ndërsa hetimet për dinamikën e saktë të ngjarjes janë në vazhdim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.