Një gjë të tillë e thotë edhe ish- eprori i UÇK-së, Naim Miftari.
Ai thotë se ka koalicion të fshehur PDK- LDK- AAK dhe Lista serbe, kundër VV dhe Listës “Guxo”.
Sipas tij, ka paradokse politike të habitshme.
“Koalicioni i heshtur i PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe kundër Vetëvendosjes, Faton Pecit dhe listës Guxo
Hajfuzët e dezertimit, ata që bombardimet e NATO-s kundër forcave serbe i pritën në rërën e ngrohtë të Ulqinit, sot janë rikthyer në skenë. Pas përfundimit të luftës, e sot pas më shumë se dy dekadash, kemi paradokse politike të habitshme: LDK-ja merr vetëm 214 vota në Mitrovicë, AAK-ja 50 vota, dhe megjithatë, të gjithë së bashku nuk arritën ta mposhtin Faton Pecin”, deklaron Miftari.
Pas përfundimit të protestës, ka reaguar edhe emisari i presidentit amerikan për misione të veçanta në botë, Richard Grenell.
“Haga është Jashtë kontrollit. Kjo është ajo që ka bërë Jack Smith”, ka shkruar Grenell në rrjetin X, duke iu referuar ish-prokurorit Special që kishte ngritur padinë ndaj Thaçit.
Grenell i cili në të kaluarën ka qenë i dërguari i SHBA-së për dialog Kosovë- Serbi dhe “akuzohej” për mbështetjen e idesë për korrigjim kufijve, sipas Miftarit, tani bën teatër politik.
“Ndërkohë, në anën tjetër, vazhdon cirku politik i Vuçiqit, Ramës dhe Grenellit — të cilët po përpiqen të paraqiten si “patriotë”. Le ta themi troç: cirku në Tiranë nuk ka lidhje as me UÇK-në, as me drejtësinë, as me Gjykatën Speciale në Hagë. Ky teatër politik nuk ka asnjë ndikim në proceset gjyqësore atje. Qëllimi i vërtetë i këtij mobilizimi është tjetërkund: të bashkojë profiterët, politikanët e korruptuar dhe interesat e errëta serbe në Kosovë, të gjithë kundër Albin Kurtit dhe Qeverisë së Kosovës. Mjafton t’i shikoni organizatorët e këtij “cirkut”: promotorë e sponsorë janë shumica milionerë të pasuruar nga korrupsioni dhe përfitimet nga lufta — në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Shikoni më pas moderatorët dhe analistët “e zjarrtë” të ditëve të fundit — ata që deri dje akuzonin UÇK-në për krime të rënda, për vrasje të civilëve serbë, për skuadra vrasjesh, dhe që pretendojnë se Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi kanë vrarë aktivistë të LDK-së.
S’ka faj Ramizi kur i dëgjonte këta “luftëtarë të krimit të organizuar” që shpifnin, mashtronin, falsifikonin dhe tradhtonin. Ai thoshte: “Lujta”. Sot, edhe unë do të thoja: kemi luajtur të gjithë — ose kanë luajtur vetëm ata!”, ka shtuar Miftari.
Tutje, ai ka shtuar se sot Tirana u kthye në patriotizëm të rremë.
“Ky është cirku i radhës i Edi Ramës, për të mbuluar tradhtitë dhe aferat e veta korruptive.
Tirana sot është kthyer në qendër të patriotizmit të rremë — me kryeministra të rremë, me “veteranë” të rremë, me OVL të rreme, me justifikime dhe qëllime të rreme. Ata që e shitën Kosovën, ata që e tradhtuan luftën, ata që i harruan amanetet e dëshmorëve, ata që i lanë në baltë invalidët dhe ushtarët e UÇK-së — sot po përpiqen të na shesin pluhur syve.
Merreni me vete në këtë cirk edhe Grenellin, Batonin, Buzhalën, Kajtazin, Shehollin, Balen, Zekën, Linden, Alin, Abazoviçin, Bujarin, Shqiprimin… Ky cirk ka emër!”, përfundon ish- eprori.